Secondary Adv

Demo prezanton buxhetin 2027: 40 mld lekë për Ministrinë e Brendshme, rritje pagash për policët

Ministri Ervin Demo prezantoi projektbuxhetin 2027, që parashikon rritje fondesh për Policinë e Shtetit, pagat dhe projektin Smart City.

Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë në dispozicion rreth 40 miliardë lekë në vitin 2027, një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026. Projektbuxheti u prezantua nga ministri Ervin Demo në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku u bë e ditur se një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të shkojë për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit, modernizimin e strukturave dhe investimet në teknologji.


Sipas Demos, ky është niveli më i lartë i financimit të Ministrisë së Brendshme ndër vite dhe synon forcimin e sigurisë publike, rritjen e profesionalizmit të strukturave dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.


“Projektbuxheti i vitit 2027 mbështetet në tri prioritete kryesore: investimin te burimet njerëzore dhe punonjësit që garantojnë sigurinë çdo ditë; modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, pajisjeve dhe infrastrukturës; si dhe forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor për ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët”, theksoi Demo.


3.3 miliardë lekë për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë


Një nga zërat kryesorë të projektbuxhetit të vitit 2027 është rritja e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, për të cilën janë parashikuar 3.3 miliardë lekë.


Për 8,174 punonjës me gradën Inspektor, të cilët përbëjnë 73% të efektivëve me grada në Policinë e Shtetit, propozohet një rritje e pagës për gradë me 20 mijë lekë në muaj. Duke përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë, rritja mesatare e pagës për këtë kategori arrin në 23,600 lekë në muaj, ose 27%.


Ndërkohë, për punonjësit me grada të tjera, rritja e pagës për gradë parashikohet në 15 mijë lekë në muaj. Duke përfshirë edhe vjetërsinë në punë, efekti mesatar i rritjes do të variojë nga 8% deri në 17%.


Ministri Demo e cilësoi rritjen e pagave si një “investim të drejtpërdrejtë te njerëzit që mbajnë mbi supe një përgjegjësi të rëndësishme publike, duke u përballur çdo ditë me rrezikun, kriminalitetin dhe emergjencat për të garantuar sigurinë e qytetarëve.”


Ai theksoi se mbështetja financiare duhet të shoqërohet me standarde më të larta profesionale, disiplinë, integritet dhe respektim të ligjit. Sipas ministrit, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë nga Policia jo vetëm siguri, por edhe sjellje korrekte, shërbim profesional dhe respektim të të drejtave të tyre.


Policia e Shtetit merr 33.6 miliardë lekë, rritje me 20 për qind


Në total, projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 33.6 miliardë lekë për Policinë e Shtetit, me një rritje prej 20% krahasuar me vitin 2026. Kjo shumë përfshin edhe fondet për politikën e re të pagave.


Financimi synon forcimin e kapaciteteve operacionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e Policisë përmes përdorimit të teknologjisë dhe pajisjeve bashkëkohore.


Demo theksoi se një nga sfidat kryesore nuk është vetëm shtimi i kapaciteteve policore, por përdorimi më inteligjent i tyre, në funksion të rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve.


Smart City, 2 miliardë lekë financim i huaj dhe 1 miliard lekë për TVSH-në


Një tjetër prioritet i Ministrisë së Brendshme për vitin 2027 do të jetë projekti Smart City, i cili synon përdorimin e teknologjisë për forcimin e sigurisë publike.


Sipas ministrit Demo, për këtë projekt parashikohen rreth 2 miliardë lekë financim i huaj dhe 1 miliard lekë për TVSH-në, krahas fondeve të tjera që lidhen me mbikëqyrjen dhe kostot lokale.


“Smart City që është një nga shtyllat kryesore që ne po fokusohemi, për vitin 2027 parashikohet rreth 2 miliardë lekë financim i huaj dhe 1 miliardë lekë për TVSH-në në projekt, krahas fondeve që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen dhe kostot lokale”, deklaroi Demo.


2.8 miliardë lekë për Gardën e Republikës, më shumë fonde për prefekturat


Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon gjithashtu rritje të financimit për Gardën e Republikës, prefekturat dhe shërbimin e gjendjes civile.

Për Gardën e Republikës janë planifikuar 2.8 miliardë lekë, një rritje prej 3% krahasuar me vitin 2026. Në këtë financim përfshihet edhe një fond shtesë prej 100 milionë lekësh për pajisje speciale.


Ministri Demo theksoi se mbështetja për prefekturat dhe gjendjen civile është gjithashtu pjesë e prioriteteve të projektbuxhetit, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e shërbimeve publike.


Gjatë prezantimit, Demo nënvizoi se siguria publike nuk është thjesht “një zë në buxhetin e shtetit, por një përgjegjësi themelore e qeverisjes dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, funksionimin e shoqërisë dhe besimin e qytetarëve te institucionet.”


Projektbuxheti 2027 synon që rritja e financimit të përkthehet në më shumë siguri për qytetarët, modernizim të strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve publike.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat